Regjisori Koloreto Cukali zbulon se çfarë do të shohë publiku në film: “Do të gjejë pak nga vetja”!

Anja Dervishi
25/09/2023

Prej muajsh ka qenë në qendër të vëmendjes të të gjithëve. Tashmë më në fund pritjes i erdhi fundi dhe më në fund është publikuar traileri i “Në kuadër të dashurisë”. Premiera do të prezatohet më 9 tetor në Pallatin e Kongreseve. Lidhur me filmin, përmbajtjen, aktorët dhe shumë të tjera, ka qënë i ftuar në “Ftesë në 5”, regjisori Koloreto Cukali, i cili na ka shuar pak kureshtjen mbi “Në kuadër të dashurisë”…

Është një film tek i cili çdo shqiptar do të gjejë pak nga vetja dhe mendoj se do të ketë vëmendjen që meriton. Sa më e madhe pritshmëria, aq më e madhe është dhe përgjegjësia që kam unë dhe i gjithë stafi. Që në fillim kemi pasur presionin që filmi duhet të jetë në standardin e Top Channel, kështu që duhet të ishte diçka më shumë se ç’jemi mësuar të shohim apo ç’jemi mësuar të bëjmë. Unë kam një fat shumë të madh, kam punuar me aktorët më të mirë që ka Shqipëria e Kosova bashkë. Mund të them pa frikë se kemi pasur një kast ëndrrash. Shto pastaj dhe personazhe shumë të dashur të ekranit, të teatrit, por edhe të kinemasë shqiptare. Ata që e duan kinemanë klasike, aty janë aktorët më të mirë shqiptarë Ndriçim Xhepa, Luan Jaha, Zamira Kita. Ata që duan shumë teatrin, do të gjejnë aty Olta Dakun, Besmir Bitrakun. Ata që janë fansa të komedisë televizive kanë Salsano Rrapi, Aleksandër Gramin. Ata që janë të dashuruar me “Big Brother” kanë dyshen antagoniste, por që në film është një dyshe e jashtëzakonshme, që është Olta me Luizin. Pa harruar pastaj Sarën dhe Roerdin. Mendoj se kemi një kast aktorësh që i jep secilit diçka. Nuk kam nevojë t’i bëj reklamë këtyre emrave të jashtëzakonshëm si Ylber Bardhi, por pritshmëria e publikut në raport me Luizin apo Sarën që e kanë filmin e tyre të parë, unë besoj që gjithashtu do të justifikohet. Sepse të dy kanë ndërtuar karaktere shumë të mira, kishin secili një talent të fortë aktrimi brenda dhe ne jemi përpjekur që atë që kishin ta nxirrnin në film. Kështu që dhe Sara dhe Luizi kanë krijuar personazhe të dashur në film.

Cila ishte mënyra e duhur për ta nxjerrë këtë talent të tyre të fshehur?

Nuk ka qenë shumë e vështirë për mua sepse ata e kishin aktorin brenda, kishin nevojë vetëm për momentin dhe vendin për ta nxjerrë. Por të dy janë dhe artistë shumë inteligjentë, e kuptonin në ajër se çfarë kërkohej prej tyre. Kanë shpirt artisti dhe me atë ndërtuan dy karaktere që janë të besueshëm në film.

A ishin këta aktorë të zgjedhur që në fillim për rolin?

Në fillim është shkruar filmi pa këta personazhe në mendje. Unë kam pasur 2-3 personazhe episodikë. Pothuajse në çdo film që kam panuar kam pasur Salsanon dhe Bes Bitrakun, Zamira Kitën e kam pasur shpesh në projektet e mia, Olta Dakun gjithashtu. Ti krijon jo vetëm një lidhje, por dhe një besim. Është shumë komode të punosh me artistë që ti e di se deri ku mund të shkojnë dhe çfarë mund të japin. E kam shumë kollaj t’ja ‘qep’ një kostum artistik Olta Dakut sepse kam punuar atë dhe ia njoh kapacitetin. Olta Gixhari është gjithashtu një aktore shumë e mirë, ndër më të mirat e brezit të saj. Kryesisht është parë në teatër, më rrallë ndoshta në fil. Mendoj që dhe Olta po priste një moment të vetin kinematografik dhe ka justifikuar jo vetëm pritshmërinë time, por edhe të të gjithë fansave të saj. Olta është në nivele shumë të larta të aktrimit. Por gjithë këto personazhe kryesorë janë vendosur më vonë. Ka qenë një proces i mundimshëm bashkë me producentin Ledion Liço, sepse duhej të ishte një kast që të kompletonte njëri-tjetrin. Gjithashtu duhet të ishte një kast që t’i fliste publikut. Pra, kishim nevojë që të gjenim personazhe që publiku t’i dojë dhe Shqipëria është në atë fazë që duhet të ndërtojë dhe yjet e vet të kinemasë. Luizi, Olta dhe Sara mendoj se kanë qenë në qendër të strategjisë për të mbërritur tek publiku në mënyrë sa më të drejtpërdrejtë.

Më shumë