“Defending Jacob” drama e errët e një familjeje që i shembet bota papritur dhe përpjekja e tyre për të mbrojtur të pambrojtshmen. Kritikë.
Chris Evans, 3 vite më parë, vari kostumin e tij të Kapiten Amerikës (dhe mesa duket, briskun) për t’u kthyer në babain model të një djali që akuzohet për vrasje në moshën 14 vjeçare. Historia tronditëse është një nga seritë [e kufizuara] më të përfolura të platformës së streaming-ut të Apple.
Në vitet e fundit rritja e prodhimeve televizive për shkak të kërkesave të reja të tregut nga platforma si Netflix, Max, Amazon, apo Apple + bëri që disa prej yjeve të Hollywood-it të shikonin përtej projekteve të ekranit të madh të kinemasë. Evans ishte pjesë e premtimit të Tim Cook, CEOs së Apple kur prezantoi mësymjen e kompanisë së teknologjisë në industrinë e filmit. Ylli i filmave aksion kësaj herë është larg stereotipit të tij, luan Andy Barber tek “Defending Jacob”, një prokuror të suksesshëm, baba i devotshëm i Jacob (Jaeden Martell) dhe bashkëshort i dashur i Laurie (Michelle Dockery), një njeri me integritet, i rrespektuar nga kolegët dhe komuniteti.
“I besoj sistemit, dua që e vërteta të dalë në shesh” – thotë Andy përpara një trupe gjykuese në një skenë e cila do të kuptojmë është e fundit e historisë së pabesueshme të 8 episodeve.
Jeta perfekte e Barber-ve do të kthehet përmbys kur djali i tyre është i dyshuari kryesor për një vrasje të shokut të tij të shkollës. Jacob, një adoleshent i qetë, misterioz, e gjen veten në shënjestrën e policisë, shkollës, qytetit dhe publikut të rrjeteve sociale si vrasësi gjakftohtë i bashkëmoshatarit Ben Rifkin. Rifkin do të gjehet i pajetë, me gjoksin e çarë tre herë nga një thikë e mprehtë, në parkun nga ku kalonte çdo ditë për të shkuar në shkollë, njësoj siç bënte Jacob. E vetmja provë fizike që lidhte Jacob me viktimën ishte një shenjë gishti, arma e vrasjes nuk u gjet kurrë – edhe pse Andy, i gjendur para faktit tronditës se djali i tij mbante një thikë, e hodhi atë në kosh. Përgjatë 8 episodeve do të shohim një kalvar ngjarjesh për autorin e këtij krimi makabër, të vërteta dhe gjysëm të vërteta të cilat do të shëmbin botën e Andy-t dhe Laurie-t, besimin e tyre tek i biri, tek njëri tjetri, tek bota e tyre pa probleme e pak muajve më parë.
Fillimisht prokur i çështjes, Andy do të shkarkohet menjëherë pasi i biri akuzohet zyrtarisht për krimin, duke humbur vendin e punës, e duke humbur besimin që njerëzit e tij, qoftë edhe ata më të afërt kishin në të. Kjo edhe për shkak të një gënjeshtre për të atin (J.K. Simmons), i cili është në burg, për përdhunim dhe vrasje të një të miture me thikë; një rastësi që do të shtojë interesin e publikut për një ngjarje e cila do të kthehet në më të rëndësishmen e medias online dhe atë tradicionale.
Një e nga një të gjithë personat afër çiftit do të largohen, ndërsa dyshimet për Jacob shtohen. Në çdo episod një anë e re e tij zbulohet, që të lë vazhdimisht në dyshim. Të tjerë personazhe do të thonë të vërteta të tjera, ose gënjeshtra të reja, me të cilat historia do të përplase nga dallgët si një varkë e paankoruar në mëshirë të fatit.
Bazuar në romanin me të njëjtin titull të William Landay botuar në 2012, “Defending Jacob” është një dramë thriller intriguese me problemet e saj sigurisht, kryesisht të skenarit, për shkak të fjalive të thata dhe të stërdëgjuara futur si me pahir mes skenave me emotivitet të lartë familjar përgjatë historisë. Ajo që është sidoqoftë e treguar bukur është vëmendja ndaj imtësive të përjetimit të familjes përgjatë humbjes së gjithçkaje që mendonin se kishin (dhe e merrnin të mirëqënë) nga momenti kur djali i tyre akuzohet për vrasje. Është si një thirrje për të përmendur publikun për sa pak kemi në të vërtetë, dhe se çfarë është në fakt e rëndësishme.
Martell dhe Dockery shkëlqejnë në portretizimet e tyre si nënë e bir, të dy roleve vërtet komplekse. Është shumë interesante të shohësh sfumaturat e tyre, përgjatë një rrugëtimi kaq fatkeq. Evans është Evans, gjithmonë më është dukur si një aktor që ka vetëm një palë shprehi.
Një dramë krimi, pak e avashtë, por e ardhur mirë, duke adresuar të gjitha pyetjet që kemi karshi në kohët që po jetojmë – privatësinë, privilegjin, grabitqarët seksualë por mbi të gjitha frikërat universale: a e njohim dot një njeriun tonë vërtet, edhe sikur të jetë krijesë e jona dhe deri ku të çon dashuria e besnikëria për mirë apo për keq…