“The Teacher’s Lounge”, një dramë për të vërtetat e sikletshme e të dhimbshme brenda mureve të një shkolle. Kritikë
Ilker Çatak (lindur më 11 Janar të 1984 në Berlin) është krijuesi i një drame nervngritëse që ndodh brenda një shkolle në Gjermani, një histori e vrullshme me emocione të përziera të personazheve për njëri-tjetrin dhe shikuesit për personazhet.
Mentaliteti i tufës eksplorohet në një histori dyshimi që nis nga një vjedhje të hollash në shkollë, në një film europian me një kolonë zanore ngacmuese deri në acarim. Fillimi i një drame të fuqishme rrugës kthehet në një melodramë disi më të përgjithshme e me më pak fuqi tërheqëse. Me çdo minutë që kalon një fillim shumë i mirë fillon të zbehet aq sa mund të mendosh që Çatak i cili ka bashkëshkruar historinë me Johannes Duncker kanë qënë jo fort të bindur me si duhet të konkludojnë “The Teacher’s Lounge”.
Leonie Benesch (e cila luan motrën fatkeqe të Princit Filip tek “The Crown”) është [këtu] Carla Nowak, mësuesja e matematikës dhe fiskulturës; e re dhe idealiste, frymëzuese për nxënësit e saj të cilët i shtyn të shprehin mendimin e tyre të pavarur, e i edukon ata me të drejtat demokratike të njeriut. Carla është inteligjente dhe pasionante, e rrjedhshme në Anglisht dhe Polonisht, prejardhur nga një familje Polake nga Westphalia, në dukje disi jo-rehat me veten.
Njësoj si pjesa tjetër e trupit akademik ajo është tejet në merak për vjedhjen ende të pa-zgjidhur në shkollë, po aq sa ç’është për mënyrat që drejtuesit e shkollës po përdorin për të zgjidhur këtë ngjarje jo fort të hijshme. Mbas një informacioni për fajtorin e mundshëm (që më vonë zbulojmë se ushqehet nga motive raciste) – për të kontrolluar portofolin e një djali të një familje turke, paratë e të cilit ishin dhënë nga prindërit për të blerë diçka mbas shkolle, këta të fundit kanë një përplasje të hidhur e të jetuar prej shumë prej nesh shqiptarëve, në vende dhe raporte nga më të ndryshmet edhe sot e kësaj dite. Për gjermanët e kësaj shkolle – familja muslimane turke është si polici kufitar për një shqiptar të zakonshëm në një aeroport europian. Fakti që nga shkolla nuk ju kërkoi falje familjes e shqetëson Carla-n edhe më shumë. Ajo fillon të ndihet në faj, edhe sepse i takon një brezi të ri dhe progresiv në mendësi, duke u munduar të rregullojë raportin, të paktën të sajin me prindërit e djalit.
Por më pas ajo shikon se mungojnë paratë që ajo kishte në portofol, duke regjistruar me laptopin e saj në përpjepjekje për të gjetur përgjegjësin, në sallën e mësuesve, diçka që është rreptësisht e ndaluar. Në regjistrimin e saj arrihet të shihet vetëm një krah, por ajo ka një bindje se kush mund të jetë për shkak të veshjes dhe mbas akuzës – në vend që ngjarja të mbyllej – pezullimi i punonjëses do të hapë faqe të reja të përplasjeve klasore, ksenofobe etj.
Carla nga njeriu solidar në sytë e trupës mësimore dhe nxënësve, kthehet në një person arrogant, të padisipluar dhe tejet jo-profesional. Punonjësja e pushuar nga puna ka njëkohësisht djalin e saj në klasën e Carla-s, dhe tashmë çdo marrëdhënie do të vihet në pikëpyetje. Asgjë nuk do të jetë më si më parë ndërsa e vërteta do të marrë një mësim të mirë për rëndësinë e saj në një raport të çfarëdoshëm.
Benesch është shumë e zonja për të luajtur një personazh së cilit po i shembet toka poshtë këmbëve, në një skenë kur Carla vuan një krizë paniku është jashtëzakonshit e aftë për ta bërë të besueshme. Edhe pse forca e protagonistes është e painjorueshme, filmi për një kohë të gjatë, nga 2/3 e tij duket sikur xhiron gomat në përpjekje për të gjetur terren për të ecur përpara.
Një film me tonalitetet e “The Hunt” (Thomas Vinterberg, 2012) por pa peshën që një dramë [si kjo] duhet të të lërë në fund. Sidoqoftë ngelet një nga filmat e mirë të vitit të kaluar – sidomos kur vjen fjala për filmat e pavarur europianë, të cilët ja dolën të merrnin famë ndërkombëtare.