Një histori që do t’ju mbajë frymën pezull, ju prezantojmë “Legjenda e Bastunit”!

Silvia Tabaku
12/05/2024

Që në moshë të vogël, Çesku mbetet pa baba dhe At Pali, mësuesi i tij i ardhshëm, e merr për ta arsimuar. Çesku i vogël nis një jetë të re në një mjedis krejt të panjohur, në Kolegjin Françeskan të Shkodrës të viteve 20-të. Aty njihet me moshataren e tij Sarën, një vajzë jetime e adoptuar nga një zonjë me origjinë italiane. Çesku tashmë i rritur afrohet shumë me Sarën, madje, ky afrim kthehet në një sfidë shpirtërore për të ardhmen e tij si prift, sfidë e cila merr fund pas çlirimit të Shqipërisë më 1944, me ardhjen e komunizmit.

Partizanët, mes tyre edhe vëllai i tij Jaku, futen në Kuvendin Françeskan duke e shndërruar atë në një “burg” ku mbahen nën survejim klerikët. Me anë të një artikulli në gazetë, Çesku zbulon se Sara dhe nëna e saj birësuese janë ekzekutuar nga rojet kufitare komuniste shqiptare në tentativë arratisjeje. Ai i shmanget të gjitha përpjekjeve që bëjnë komunistët për ta bindur të heqë dorë nga besimi i tij e për të bashkëpunuar me ta.

Optimizmi dhe vendosmëria e Çeskut për të krijuar një botë më të mirë, e bën që të kalojë tortura çnjerëzore e inskenime të frikshme duke e çuar deri pranë pushkatimit. Edhe pse shumë prej miqve të tij humbin jetën si pasojë e komunizmit, ai i qendron stoik amanetit të mësuesit të tij… Bastunin e At Palit, një bastun rreth të cilit janë thurur legjenda, duhet ta hedhë në lumë, aty ku At Pali e kishte gjetur dikur.

Pas vdekjes së At Palit, me ndihmën e vëllait të tij komunist, Çesku arratiset nga burgu për të realizuar amanetin, por të dy kapen nga forcat e sigurimit të shtetit duke përfunduar në burg. Vitet kalojnë dhe në burg bien edhe vetë besnikët e PPSH.

Pas vdekjes së diktatorit komunist Enver Hoxha, Çesku fiton lirinë. Edhe pse i plakur e i rraskapitur Çesku nuk e harron amanetin. Hedh në lumë Bastunin e At Palit që e kish fshehur në kullën e tij. I veshur civil strehohet në ambientin e abandonuar të Kishës pranë Kuvendit Françeskan ku përpara i kalon fëmijëria.

Një ditë prej ditësh dy Misionare të Urdhërit të Nënë Terezës hyjnë në kishë dhe i bëjnë të ditur Çeskut se ambienti ku ai është strehuar i është falur atyre nga Presidenti i Republikës dhe nga e veja e ish diktatorit. Çesku vë re se njëra prej tyre, mban pikërisht Bastunin të cilin ai sipas amanetit të At Palit e hodhi në lumë. Misionarja i tregon se e ka gjetur në breg të detit në Itali. I tregon gjithashtu se dikur ka humbur memorien për shkak të një incidenti që ka pësuar gjatë arratisjes me nënën e saj nga Shqipëria në vitet e diktaturës komuniste. Çesku bindet që ajo është shoqja e tij e rinisë, Sara. I mbytur në hidhërim kupton se është e kotë tentativa për t’i kthyer asaj kujtesën dhe se hedhja e Bastunit në lumë nuk ishte thjeshtë një amanet i At Palit…

Më shumë