Shtëpia Studio Kadare

Silvia Tabaku
08/03/2021

Shtëpia Studio Kadare është një vend ku mund të krijohet një ide e punës së Kadaresë. Këtu hasim punën e shkrimtarit, njohim pasojat e saj të pafundme në kohë, në letërsi dhe te lexuesit e tij, krijojmë idenë si u shpërnda, u prit, u kritikua dhe përcoll vepra e tij përtej kulturës së vet dhe si vazhdon të përcillet edhe sot. Potenciali i madh i apartamentit të Kadaresë qëndron në domethënien e tij si një vend. Ky apartament nuk ishte vetëm vendbanimi i Kadaresë, por edhe vendi i tij i punës (studio e tij) dhe si i tillë ai përfaqëson një pikë hyrjeje në auditorin e kulturës së pasluftës. Shtëpia Studio Kadare do të vazhdojë të iniciojë vizitorët në mendimin letrar, duke treguar si ndryshon puna e shkrimtarit në takimin e tij me lexuesit në kohë dhe vendndodhje të ndyshme. Apartamenti ku ka banuar Kadare në vitet 1974 – 1989, i ndodhur në katin e tretë të një pallati në Rrugën e Dibrës projektuar nga arkitekti Maks Velo në vitin 1972, është shpallur në vitin 2015 Monument Kulture i Kategorisë II. Ndërtesa ose siç quhej në atë kohë “pallati me kuba” përfaqëson në vetvete aspiratën e arkitekturës shqiptare për të qenë në një hap me kohën dhe në veçanti me Perëndimin. Për këtë arsye u vu në qendër të akuzave të kohës dhe regjimit të atëhershëm duke u quajtur moderniste dhe kubiste. Ndërsa projektuesi i saj u burgos me 10 vite.

Për më shumë informacion mund të ndiqni:
Facebook
Instagram
shtepiakadare.tirana.al

Adresa: Rruga e Dibrës 25, Tiranë

Info

Orari: E martë - e shtunë 10:00 – 17:00/E diel: 10:00- 15:00

Të tjera