Art

Këngëtarja Mariza Ikonomi vjen si kurrë më parë me koncertin e saj recital!

Silvia Tabaku
25/09/2021

Ditën e djeshme në ambientet e Liceut Artistik është zhvilluar koncerti recital i këngëtares së njohur Mariza Ikonomi. Një koncert për të cilin vetë këngëtarja është shprehur se ndihej jashtëzakonisht e lumtur dhe e nderuar që arriti më në fund ta finalizonte. Ky koncert recital i titulluar ‘Mariza dhe Qyteti’ ishte mbështetur edhe nga Bashkia Tiranë e cila është një nga suportueset më të mëdha të eventeve të tilla.

Pak minuta përpara se Mariza të fillonte që të interpretonte këngët e saj në një mënyrë mjaft të veçantë siç vetëm ajo di, është ndalur për të thënë një historik të vogël në lidhje me krijimin e këngëve të saj dhe nga se është frymëzuar. Gjatë fjalimit të saj ajo është shpreur se:

Shumë këngë të miat janë frymëzuar në këtë qytet, në Tiranën tonë, qofte nëpër rrugicat ku kaloja, nëpër dritaret teksa shijoja një perëndim dielli apo yjet, nëpër kafeneteë ndërsa shihja kalimtarë, nëpër ecjet e shpejta për të kapur zilen e parë të shkollës apo në makinë teksa shihja një qytet që zgjohet për të nisur një ditë të re. Mbesa ime sa herë ndien aromën e bukës të sapo dalë nga furra thotë, “Mmmm mban erë Shqipëri!” sepse i rikujtohen aromat e furrave të bukës ndërsa ecte me hapat e vogla. Edhe disa nga tekstet e këngëve të mia më të bukura janë shkruar nëpër kafenetë e Tiranës. Ndaj me këtë koncert dua që njerezit të përjetojnë bukuritë e të veçantat e këtij qyteti, jo vetëm t’u sjell kujtime të bukura, por të ndiejnë në çdo kujtim ashtu si aroma e bukës të sapo pjekur apo ndjenja e të qenit pranë dikujt që je rritur së bashku, pranë dikujt që kupton sakrificat si dhe arritjet, të sjell njerëzit së bashku për të ndier unitetin që sjell ky qytet që na ka rritur e na mban çdo ditë. Shpresoj vërtet që kjo kohë t’i ndihmojë njerëzit të ndihen më afër njëri-tjetrit.

Këngët që ajo kishte zgjedhur të këndonte ishin shumë të veçanta. Disa nga të ftuarit special në mbrëmje ishin Ardi Asllani, Jonida Maliqi, Irma Libohova, Orgesa Zaimi, Marsela Çibukaj, Endri dhe Stefi Prifti, Fjodora Fjora, Eraldo Rexho dhe shumë të tjerë të cilët nën tigujt e muzikës së bukur kanë kënduar së bashku me Marizën gjatë gjithë mbrëmjes. Këngëtarja bukuroshe është shprehur se ishte jashtëzakonisht mirënjohëse për gjithçka.

Gjithashtu intervistën me këngëtaren 38-vjeçare nga koncerti do e shihni në kanalin e TAR në YouTube më vonë gjatë ditës.

Më shumë