“Breaking Boundaries: The Science of Our Planet”, fakte tmerruese të rrëfyera varfër/ Kritikë

Silvia Tabaku
07/12/2021

Kriza e ngrohjes globale ka krijuar një lloj krize edhe tek dokumentar-bërësit e kësaj teme. Si i bëhet që audienca të tërhiqet aq shumë sa të fillojë të bëjë ndryshime në jetën e saj të përditshme? Përgjigjet janë të sfumaturave të ndryshme – disa kanë qasje më apokaliptike (“Aquarela” – ua rekomandojmë thellësisht) disa qasje Vip-ash (si dokumentari i Al Gore – i famshmi “An Inconvenient Truth Sequel: Truth to Power” apo çdo lloj dokumentari i prodhuar/mbështetur nga Leonardo DiCaprio. Pastaj është qasja e Netflix tek “Breaking Boundaries: The Science of Our Planet” një sfilitje 75 minutëshe të mënyrave të ndryshme se si po shkatërrojmë planetin tonë me një cipëz optimizmi për sa vonë jemi. Faktet janë aty – por të rrëfyera varfër – ç’ka vë shumë në pikëpyetje të ardhmen e efektit që kanë dokumentarët e çështjeve urgjente në jetën e shikuesve të tyre.

I rrëfyer nga ‘baritoni qetësues’ Sir David Attenborough, “Breaking Boundaries” përfshin nga shkrirja e akujve tek ç’pyllëzimi i Amazonës, shkatërrimi i barrierës së koraleve, djegia masive e pyjeve tropikale në Australi, dhe ndikimi i COVID-19 në ekosistemin tonë – të gjitha në aq kohë sa ju deshën të lexonit këtë fjali. Qëllimi i tij është të flasë për mënyrat se si e kemi shterruar planetin tonë në drejtime të ndryshme disa prej të cilave janë rrugë pa kthim. Problemi është që realizuesit harrojnë që ky është një film jo një orë kimie – dhe anashkalojnë totalisht anën emocionale – e cila mungon e po aq për shkak të shumë informacioni brenda një kohe të shkurtër – ky i fundit tingëllon i përciptas.

“Breaking Boundaries: The Science of Our Planet” është një titull gaxhi mixhi. Është shkencëtari Johan Rockstrom i cili ‘ja vë’ këtë titull prej studimit të tij të ‘boundaries – kufijve’ të cilat rraca njerëzore i ka kaluar, kufij në nivelet e biodiversitetit, aciditetit të oqeaneve apo përbërsve ushqyes. Me një animacion alla pista e vallëzimit tek “Saturday Night Fever” njerëzimi është duke ecur pa kthim drejt kufirit që rrezikon edhe kapitullimin e tyre nëse masat nuk i marrim brenda këtij 10 vjeçari që po jetojmë.
Regjisori i Filmit Jon Caly duket sikur nuk e ka ‘lodhur’ fare për të tronditur publikun në drejtimin e filmit – duke e bërë atë të ngjajë më tepër si një provim në vit të fundit të bachelorit të një studenti për regji filmi. Planet e Rockström mbi grafika apo plane zjarri janë të ngjashme me ato të viteve ’80 shumë larg nivelit të dokumentarëve të Netflix në vitet e fundit.

E sikur të mos mjaftonte kjo, fakti që një grafikë i mbledh të gjitha kufijtë është shumë e vështirë të mbash ritmin.

Sidoqoftë, faktet janë aty dhe janë të forta, e mbase nuk duhen shumë xixa buba të kuptojmë se jemi në ditët e fundit përpara kiametit. Ajo që do të doje pasi e sheh dokumentarin është që algoritmi i Netlfix-it të sugjeronte më shumë filma si ky, po meqë nuk e ka ju sugjerojmë që mbas tij të shihni “Chasing Coral” – mbase do ua bëjë edhe “Breaking Boundaries” më të përtypshëm.

“Breaking Boundaries: The Science of Our Planet” është duke u stream-uar në Netflix.

Më shumë