“PriFest” në Tiranë e “Tulla” në Prishtinë me një program shkëmbimesh për industrinë e filmit

Megi Daci
28/10/2022

Në fund të muajit Tetor Festivali Ndërkombëtar i Filmit “Prishtina International Film Festival” (PriFest) do të jetë në Tiranë, në datat 28-29-30 Tetor paraqitet një pjesë e festës së filmit të edicionit të 14-të nga projekti i përbashkët Tulla-Tiranë.

Kjo është bërë e ditur nga PriFest të cilët kanë treguar për programin e tre netëve të festivalit.

“Më datat 28-29-30 në Tulla Kulture shfaqet programi i larmishëm filmik, pasuar me festë muzikore dhe një panel diskutim mbi gjendjen e industrisë filmike shqipfolëse” – thuhet në njoftimin e tyre në Facebook.

Ditën e dytë me 29 tetor shfaqen dy filma të shkurtër “North Pole” nga Marija Apcevska, Maqedoni e Veriut dhe Serbi që zgjatë 15 minuta dhe “To Vancouver” nga Artemis Anastasiadou, Greqi me 24 minuta, kanë qenë fitues të çmimeve filmi më i mirë i shkurtër dhe mirënjohje speciale.

Debati do të zhvillohet ditën e fundit në ora 12:00 me tematikën “Kinematografia në gjuhën shqipe, sfidat dhe mundësitë”, ndërsa shfaqet filmi i metrazhit te mesëm “Cow Bells” nga Charles “Habib-Drouot” në ora 19:00, Belgjikë/Francë, me kohëzgjatje prej 45 minutash, ka qenë fitues i çmimit Best Medium Length Film në PriFest 14.

Sivjet gjatë festivalit të PriFest në Prishtinë, çmimi kryesor “Hyjnesha e kuqe për filmin më të mirë Ballkanik”, e ka mbajtur emrin e aktores Vjosa Berisha e cila ka qenë drejtoreshë dhe bashkëthemeluese e festivalit, me këtë çmim është shpërblyer filmi “Virgjëresha Shqiptare” me regji të bujar Alimanit.

Ndërsa qendra kulturore “Tulla” që do të sjellë aktivitetet e saj në Prishtinë është institucioni që lidh artin dhe kulturën me aktivizmin shoqëror si një formë efikase e krijimit të kohezionit më të lartë shoqëror. Për qëllim ka që grupet e margjinalizuara të kenë qasje në art, kulturë dhe teknologji të reja. Ndër të tjera, njihet si platformë unike në Tiranë, pasi modeli i saj përcaktohet nga programi kulturor, konteksti dhe komuniteti i saj.

Pjesëmarrësit në kuadër të “NoiseLab”, që tashmë është punëtori tradicionale e “Tulla”, do të kenë mundësi të krijojnë një performancë të përbashkët me elemente të ndryshme në fushat e artit. Aktivitetet e të dy institucioneve mbështeten nga Bashkia e Tiranës dhe nga organizata “Western Balkan Fund”.

Për më shumë informacion mund të ndiqni:
bashkiatirane.al
Instagram
Facebook
Twitter

Më shumë