Të nderuar miq, Galeria FAB ka kënaqësinë t’ju ftojë në hapjen e ekspozitës personale të artistit ILIR BALA
“BALLO ME MASKA”
Në kujdesin e Prof. Najada Hamza & Ardian Kapo
Dt. 9 janar, ora 19.00
Kohëzgjatja, 9 janar – 18 janar 2023
Galeria FAB
Universiteti i Arteve
Tiranë, Rr. I. Rrugova, nr. 22
Orari: 10:00 – 13:00 dhe 18.00- 20:00
“BALLO ME MASKA”
Veprat në ekspozitën e artistit Ilir Bala trajtojnë tema, problematika dhe fragmente të
jetës së përditshme. Piktura e tij përgjithësisht përqëndrohet në përshkrimin
ikonografik te figurës njerëzore, ilustruar me përshtatjen e tij mjedisore.
Ai paraqet idenë e ndryshimit të fytyrave me maska që shkrihen në portrete dhe
marrin elementë të ndryshëm të formës dhe madhësisë. Nëpërmjet kësaj stilistike ai
shpalos një sërë personazhesh të ndryshëm të pranishëm në shoqërinë e
përditshme shqiptare si në një shfaqje teatrale. Maskat janë përdorur nga artistë të
ndryshëm në veprat e tyre, veçanërisht në dekadat e para të shekullit të 20-të, nga
artistë të tillë si Picasso, Matisse dhe Derain duke i vendosur ato në mënyrë teatrale
si një metaforë groteske për të ironizuar aspektet ekonomike dhe social-kulturore të
shoqërisë gjatë kësaj periudhe. Në veprën e Balës, portretet maska janë të
stilizuara, të larmishme dhe karakterizohen nga një tendencë shprehëse që ndoshta
mund të simbolizojë deri ne kufijtë e groteskut “Njeriun e ri Socialist”, të krijuar nga
dritëhijet e regjimit komunist në Shqipëri. Të portretizuara si një maskim i realitetit,
ato mund të shfaqen edhe si një lojë misterioze ku rikrijojnë maskaradën teatrale të
tragjikomedisë që hasim në çdo qelizë të shoqërisë.
Procesi artistik i Balës në përdorimin e ngjyrës dhe trajtimin energjik të goditjeve të
penelit na krijon një ndjesi se artisti e përzjen ngjyrën drejtpërdrejt në telajo, duke
shmangur përdorimin e saj fillestar në paleta. Këto penelata të guximshme përcjellin
gjëndjen emocionale të artistit duke ekzagjëruar dhe shtrëmbëruar rrënjësisht
imazhin real. Vepra e Balës përcjell ide novatore përmes argëtimit dhe lirisë në
kompozim dhe ka potencialin të ndryshojë mënyrën se si ne perceptojmë,
mendojmë, interpretojmë dhe shohim botën përreth nesh përmes imazheve të tij
vizuale. Artisti nuk tërhiqet nga një disiplinë dhe konformitet, por ka një liri natyrore gati “fëminore”.
Me vetëdije dhe me një qëllim të caktuar, Bala shpërfill çdo element bazë të
perspektivës, duke theksuar dhe evokuar zhurmën kaotike të përditshme urbane dhe
sociale që përjetojmë çdo ditë. Nëpërmjet këtij procesi artistik, Bala evokon dhe
thekson deformimin social dhe kulturor të shoqërisë së globalizmit konsumist. Çelësi
i lidhjes së artistit me audiencën dhe rrethet artistike është se nëpërmjet artit të tij ai
gjithmonë zbulon, eksperimenton, krijon imazhe vizuale duke marrë informacionin e
duhur dhe duke e përdorur atë në mënyrë produktive për qëllimin e tij në temat aktuale të shoqërisë shqiptare.
Për më shumë informacion mund të ndiqni:
Facebook
068 604 7899
www.uart.edu.al
Adresa: Universiteti i Arteve, Bulevardi Dëshmorët e Kombit, Tiranë