Art

“Fashion Panorama – The Italian New Wave”, ekspozita e modës italiane tani edhe në Tiranë

Megi Daci
05/05/2023

Fashion Panorama – The Italian New Wave do të prezantohet në Tiranë më 8 maj në Qendrën për Hapje dhe Dialog të Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë.

Gjithmonë në pasqyrim të bashkëkohores, pasqyrë dhe interpretim i rrymave dhe kontrasteve që përshkojnë shoqërinë, moda ofron mundësinë e ripërcaktimit të identitetit shoqëror dhe dëshirave, gjatë përditshmërisë tonë.

“Zgjedhja për të prezantuar Fashion Panorama – The Italian New Wave në Tiranë për ndalesën e parë ndërkombëtare, lidhet me vëmendjen e vazhdueshme që Italia i kushton Ballkanit, si dhe me afërsinë tradicionale që Shqipëria ka me Italinë dhe kulturën e saj. Vetëm vitet e fundit Shqipëria ka hyrë me interes dhe kureshtje në botën e dizajnit dhe modës, duke gjetur tek Italia bashkëbiseduesin e parë dhe atë më natyralin. Në frymën e bashkëpunimit dhe mbështetjes për sektorin e ri të modës vendase, u organizua edhe një takim mes stilistëve italianë dhe studentëve të katedrës Fshion Design të Akademisë së Arteve në Tiranë”, thotë Alessandro Ruggera, Drejtor i Institutit Italian të Kulturës në Tiranë.

“Fashion Panorama – The Italian New Wave vendos në qendër të vëmendjes një përzgjedhje stilistesh dhe stilistësh që besojnë dhe ëndërrojnë së bashku me modën në Vendin tonë. Kemi zgjedhur 10 syresh, për vlerat në të cilat besojnë, kauzat për të cilat luftojnë, humanizmin të cilin mbrojnë, modën që krijojnë dhe kreativitetin që i shtyn përpara. Ekspozita, përmes punëve së tyre, do t’i ofrojë publikut të Shqipërisë dhe Ballkanit mundësinë e njohjes së tendencave të reja të fashion design-it italian, si dhe të Italisë bashkëkohore, të një Vendi të aftë për ta parë të ardhmen me vështrim të hapur dhe të çliruar nga paragjykimet” shton Francesca Ragazzi, Head of Editorial Content Vogue Italia.

Ekspozita organizohet në Tiranë tek Qendra për Hapje dhe Dialog (COD) pranë Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, si dëshmi dhe vëmendje e tejskajshme që i kushtohet projektit nga institucionet Shqiptare.

“Nuk ndodh shpesh që në godinën e Kryeministrit të zhvillohet një ekspozitë mode, e cila shërben si pasaportë për të udhëtuar drejt zbulimit të talenteve të reja të fashion design. Prej vitesh COD ka qenë një dritare e hapur për artistët e njohur, por jo vetëm. Një emër si Vogue Italia në Tiranë, është padyshim një moment i veçantë në veprimtarinë e Qendrës për Hapje dhe Dialog, si dhe një vlerë e shtuar në bashkëpunimin e vazhdueshëm me Institutin Italian të Kulturës.” pohon Drejtoresha e Përgjithshme e Agjencisë për Dialog dhe Bashkëqeverisje, znj. Eridana Cano.

Fashion Panorama – The Italian New Wave është një projekt i Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Bashkëpunimit Ndërkombëtar, me kurator Vogue Italia. Ekspozita u lind me synimin për t’i dhënë zë dhe shikueshmëri gjeneratave të reja të stilisteve dhe stilistëve italianë, duke përçuar vizionin dhe punën e tyre në mbarë botën, falë edhe mbështetjes së rëndësishme të rrjetit diplomatik-konsullor, Instituteve Italiane të Kulturës dhe Zyrave të Agjencisë ICE.

Projekti është pjesë e një game më të gjerë nismash origjinale të promovimit të integruar, të promovuara nga Ministria e Punëve të Jashtme, për të projektuar jashtë vendit një imazh organik, të shumëanshëm dhe aktual të Sistema Italia. Fashion Panorama – The Italian New Wave thekson sesi sektori i modës luan një rol kyç në Vendin tone, është një shembull i të qenurit dhe sjellurit “italian”, si dhe një burim frymëzimi për sistemin tonë prodhues dhe krijues.

Synimi i iniciativës është rrëfimi i modës bashkëkohore italiane, përmes vizionit dhe punës së 10 stilistëve – ACT N°1, Gisèle, Cormio, lessico familiare, Magliano, Marco Rambaldi, Medea, Panconesi, Niccolò Pasqualetti, SSHEENA – të cilët përkrah ripërpunimit të traditave artizanale në formë rishtare dhe me gjuhë dhe metoda novatore, kanë mundur të ruajnë një marrëdhënie të fortë dhe të integruar me industritë e tjera të lidhura me kulturën apo krijmtarinë italiane, si dhe të trajtojnë në mënyrë origjinale, aspirata dhe tema të dashura për shoqërinë bashkëkohore.

Ekspozita, me hyrje të lirë për publikun e gjerë, përmban një ekspozitë fotografish, të krijuara enkas për këtë projekt, si dhe imazhe arkivore, të shoqëruara me materiale audio-vizuale, kushtuar punës së 10 talenteve të përfshirë.

Fashion Panorama do të inaugurohet më 8 maj në Tiranë, në Qendrën për Hapje dhe Dialog (COD), ku do të qëndrojë e ekspozuar deri më 2 qershor dhe do të ketë ndalesa të reja ndërkombëtare për dy vitet e ardhshëm, sipas një kalendari të përditësuar vazhdimisht, i cili mund të konsultohet në faqen https://fashionpanorama.vogue.it/ 

Ekspozita do të përbëjë gjithashtu një mundësi për të eksploruar një sërë përmbajtjesh që lidhen me botën e modës bashkëkohore, të cilat do të jenë gjithmonë të disponueshme në një platformë digjitale të dedikuar, si dhe tek kanalet Vogue Italia.

8.05.2023 – 02.06.2023 | Tiranë

Cod – Centre for Openness and Dialogue

Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”

Për më shumë info: [email protected] 

Më shumë