Art

“Histori shumë e shëmtuar…”/Një nga dy të burgosurit e parë të shtypit, Martin Leka: Ia di për nder atij burri të madh…

Silvia Tabaku
30/04/2025

I ftuar në emisionin “Back to the Beginning” me Kozeta Kurtin këtë javë ka qenë gazetari i njohur dhe i cilësuar si simbol i lirisë, Martin Leka. Ai ka rrëfyer më shumë detaje për karrierën e tij ndër vite dhe jo vetëm kaq…

Nga gazetat e para pluraliste të viteve ’90 u gjend në korridoret e Radio Tiranës në një vit shumë të vështirë në 1997, çfarë ishte për të që të merrte përsipër një media publike në një kohë kur situata nuk ishte shumë komode dhe në vitin 1998 u pësua dhe sulmi i famshëm i Radio Televizionit Shqiptar?

Radio është një dashuri e madhe, megjithatë shtypi dhe gazeta e shkruar dhe e printuar mbeten për mua dashuria e parë dhe e rëndësishme. Radio më bëri që të kuptoj shumë gjëra, unë vija në Radio Tirana për herë të parë si drejtor. Nuk kisha hyrë kurrë, vetëm kishim dëgjuar. Ardhja si drejtues ishte shoku i parë ndërsa shoku i dytë ishte prezantimi. 

Kur përmend dashurinë për shtypin vetëm kujtimet e bukura mban mend Martin Leka? Prej atij shtypi që bëri edhe burg. Më 31 janar 1994, prokuroria e Tiranës me policinë e shtetit arrestuan kryeredaktorin dhe zv/kryeredaktorin e gazetës KOHA JONË, përkatësisht Aleksandër Frangaj dhe Martin Lekën për një shkrim botuar në gazetë. Asokohe u bë luftë e madhe e botës së gazetarëve dhe intelektualëve kundër pushtetit të dhunshëm, ku në fillim gjykata liroi Aleksandër Frangaj dhe me pas, me dekret presidencial, u lirua nga burgu Martin Leka.

Unë sigurisht që në betejën për lirinë e shtypit mbaj mend plot gjëra, kjo pjesa më e parëndësishme them unë por që ka lënë gjurmë tek unë pjesa e burgut është një rast apo histori shumë e shëmtuar jo thjesht për mua, por për të gjithë gazetarët në përgjithësi për lirinë e shtypit. Imagjinoni që ndërkohë që unë isha në burg nuk e dija që ka një datë që është Dita Ndërkombëtare e Lirisë së Shtypit, 3 Maj. Kur unë jam liruar më datë 4 Maj sebepi ka qenë kjo. E dinte vetëm Ismail Kadare, askush nuk e dinte. Ia di për nder atij burri të madh të letërsisë shqipe dhe jo vetëm që gjeti një rast të tillë, i shkoi Presidentit të Republikës. U gjet ky sebep dhe u shpalla “i rehabilituar” por ndërkohë pas shtatë ditësh nga Gjykata e Lartë që kishim bërë rekurs u shpalla dhe i pafajshëm dhe mbaroi si histori. 

Më tej shtoi se:

Është një histori e shëmtuar por që ia vlen sepse unë mendoj që pas kësaj historie politikanët dhe pushtetarët kanë marrë shumë mësime për të ditur që betejat me shtypin nuk i fitojnë asnjëherë. 


Më shumë