“Il Trovatore”, kryevepra botërore e Giuseppe Verdit, rikthehet në skenën shqiptare me një produksion të ri që mban firmën e regjisorit të mirënjohur Roberto Catalani, realizuar nga Teatro “Amilcare Ponchielli” i Cremonës në Itali.
Pas 24 vitesh mungesë, rikthehet në skenën shqiptare tenori ynë i mirënjohur me karrierë ndërkombëtare në skenat më prestigjoze të botës, Josif Gjipali.
Për herë të parë në Shqipëri, në një produksion operistik, debuton në skenën e TKOBAP-së mezzosoprano shqiptare me famë ndërkombëtare Enkeleida Shkoza, në rolin dramatik të Azucenës.
Roli i Conte di Luna interpretohet nga baritoni Ankhbayar Enkhbold dhe baritoni i mirënjohur i teatrit, Armando Likaj.
Në rolin e Leonorës, skenën e ndajnë sopranot e mirënjohura Eva Golemi dhe në kastin e dytë Ramona Tullumani.
Rolin e Azucenës në kastin e dytë e luan mezzosopranoja e teatrit Ivana Hoxha ndërsa roli i Manricos vjen në kastin e dytë nga tenori Amadi Lagha.
Rolin e Ferrandos e sjell në skenë Bledar Domi. Ines interpretohet nga Suada Gjergji dhe Greis Shametaj, ndërsa roli i Ruiz ndahet mes Matias Xhelit dhe Redon Sinellës.
Orkestra Simfonike dhe Kori i TKOBAP-së, nën drejtimin e dirigjentit Andrea Solinas dhe dirigjentit të korit Dritan Lumshi, kompletojnë këtë vizion artistik, duke sjellë një përvojë të paharrueshme ku muzika, drama dhe pasioni verdian bashkohen në një shfaqje monumentale.
11–12–13 Dhjetor, ora 19:00
Teatri Kombëtar i Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor