E kujt ja priste mendja që “The Suicide Squad” do ishte kaq argëtues, i përgjakshëm por shumë argëtues. Kritikë.
Seriozisht, “The Suicide Squad” (2021) është një nga filmat më të mirë me superheronj prej vitesh. Të kuptohemi, unë nuk jam as fansi i zjarrtë i zhanrit, as cinik që nuk i përfill hiç. Nisur nga eksperienca ime – me “Suicide Squad” (2016) (mesa duket ‘the’-ja bën gjithë diferencën) filmi i parë i Jared Leto si Joker-i menjëherë pas fitores së Oscar-it për “Dallas Buyers Club” dhe një regjisor visionar si David Ayer, ok ok edhe Margot Robbie si Harley Quinn ishte po aq arsye për ta parë – tërësisht zhgënjyese, pata një lloj hezitimi të justifikuar i cili u ç’bë brenda pak minutash – Film i ri i sagës është një eksperiencë fantastike, sidomos në kinema..
Kësaj here anti-heronjtë e DC Comics janë në duart e regjisorit të një tjetër filmi (ose filmave duhet thënë më mirë) shumë të arrirë dhe të pëlqyer me superheronj – “Guardians of the Galaxy” – James Gunn. Puna e tij është argëtuese pa fund, e përgjakshme në kulme të reja – Tarantino takon Lars Von Trier, komike deri në absurd, në të njëjtin film kemi imazhe tipike superheronjsh, por dialogje sit-comesh dhe një i keq i cili është një çorbë mes Godzillas, Cthulhu, SpongeBob – duke rezikuar shumë që i keqi i filmit të kthehet në një paçavure. Por jo, çdo gjë ka vendin e saj, nuk e dimë nën efektin e çfarë ‘çudibërësi’ ka qënë Gunn kur ka punuar për filmin, ama dimë se rezultati është i jashtëzakonshëm.
The Suicide Squad kësaj here është Task Force X, një skuadër të këqinjsh të cilët nisen në një mision vetëvrasës nga mizorja Amanda Waller (Viola Davis). Nëse misioni nuk çohet deri në fund ajo shtyp një buton për të shpërthyer një bombë brenda kafkës të secilit. Edhe pse ky film është një vazhdim i atij të 2016 shumë pak prej personazheve i gjejmë të përfshirë, sigurisht Harley Q. (Robbie), Waller dhe Kolonel Flag-un (Joel Kinnaman), Kapiten Boomerang (Jai Courtney) e kaq. Lajmi i mirë ështe se nuk ke pse ta shohësh filmin e 2016 për të kuptuar këtë të 2021.
Pa dashur të zbulojmë shumë nga filmi, misioni i tyre është në një qytet të vogël të Amerikës së Jugut – Corto Maltese, aty ku një diktaturë ka rënë pas një grushti shteti dhe tani në krye janë gjeneralët, të cilët janë po aq të këqinj sa ata prej të cilëve morrën pushtetin, me këtë rast janë edhe kundër SHBA-ve. Ata kanë akses në një projekt shumë sekret jashtëtokësor (Project Starfish), që mund të vërë sigurinë amerikane në rrezik. Misioni i tyre ështe të shkojnë dhe të asgjesojnë çdo provë të PS. John Cena luan Paqeruajtësin (Peacemaker), një lloj Kapiten Amerika – po më lac, Idris Elba luan Bloodsport një vrasës me pagesë, i cili uron të fitojë lirinë e tij nëse del gjallë nga misioni, Daniela Melchoir është kontrolluesja e minjve (literalisht) Ratcatcher 2, David Dastmalchian luan ‘Polka-Dot-Man’ ndërsa Sylvester Stallone është zëri i të adhurueshmit King Shark. Sigurisht ka edhe të tjerë por këta janë kryesorët. Ratcatcher 2 është vajza e Ratcatcher-it origjinal (Taika Waititi) dhe shërben si pikë fokale e skuadrës së anti heronjve duke mbajtur lart vlerat e miqësisë, dhembshurisë dhe mirësisë. Aftësia e saj për të kontrolluar minjtë duket idiote por përgjatë historisë do të kuptoni që është e qënësishme. King Shark, ndërkohë nga një bishë e frikshme është një nga personazhet më komike të një filmi i cili nuk e kursen komedinë me asnjë nga personazhet. Ai është një lloj dy-vjeçari shumë i uritur. Filmi i fundit i Harley Quinn “Birds of Prey” edhe pse deçent, pati kritika të përziera, ndërsa tek “The Suicide Squad”, ajo shkëlqen më fort se asnjëherë – në të gjitha drejtimet.
Një nga problemet thelbësore që kanë filmat e superheronjve vitet e fundit është gjatësia e tyre. 2 orë e 12 minuta nuk është më mirë se 90 minuta, raporti sasi dhe cilësi është i zhdrejtë. “The Suicide Squad” është sidoqoftë më i shkurtër se filma të ngjashëm dhe edhe pse me raste duket sikur shpërndahet dhe ngadalësohet nuk bëhet kurrë i mërzitshëm, siç ndodh me “Black Widow”, “Army of Dead” apo “A Quiet Place II”.
Gunn shkon larg personazhëve të errët të Nolan, duke kthyer secilin prej të tijëve njëkohësisht të frikshëm po aq sa qesharakë. Ndaj ky është një film që kënaq fansat e zjarrtë po aq sa cinikët që nuk mund të marrin seriozisht atë që po ndodh në ekranin para tyre.
Seriozisht, shkoni në kinema. “The Suicide Squad” justifikon çmimin e biletës, kokoshkave dhe pijes me gaz të zgjedhur. Do të dilni nga salla me barkun disi të fryrë por me buzët vesh-më-vesh. Ka raste kur kinemaja duhet të të bëjë të mendosh, por ka edhe raste, si ky që misioni është të të argëtojë – dhe këtë ky film e bën me shumicë…