Art

“Rënia e së ardhmes: Arti, korrupsioni dhe fundi i tranzicionit shqiptar”, si shihet nga autorët e huaj vendi ynë!

Anja Dervishi
29/05/2023

Në këtë libër, Vincent W.J. Van Gerven Oei merr në shqyrtim ndërthurjen mes artit dhe politikës, duke rindërtuar kësisoj, me saktësi dhe me dhimbje, shkrim pas shkrimi, imazhin lëvizës të kolapsit bashkëkohor shqiptar. Ajo që bie nuk është vetëm jeta shoqërore e një vendi, por, ende më keq, është botëkuptimi hegjemon sipas të cilit kjo jetë është ngritur.

Mbi rrënojat llamburitëse e shumëkatëshe të kësaj rënieje, mbetet në këmbë aleanca e një klase politike përherë e më të kriminalizuar, një elite kulturore dhe një pranie ndërkombëtare që nuk ka asgjë për të ofruar. Si mënyrë të vetme për të mbajtur pozitën e uzurpuar, kjo aleancë ka molepsjen e mëtejshme të realitetit me copëza të një hiperrealiteti ku çdo synim është arritur ose është fare pranë, ku çdo premtim është përmbushur ose do të përmbushet shumë shpejt, ku ky makth i përbashkët është një varg suksesesh të njëpasnjëshme e të pandalura. Ky libër është dëshmi besnike e këtij krimi në bashkëpunim.

Në ndryshim nga shumë perëndimorë, pa përjashtuar gazetarë e ekspertë të rajonit, njohja e të cilëve mbi Shqipërinë kuptohet lehtë se është një koleksion idesh të mbledhura në tryeza kafenesh apo nga lexime të të tjerëve, Vincent W.J. van Gerven Oei bën pjesë ndër ata perëndimorë, me të cilët ne shqiptarët që thithim përditë “drogën Shqipëri” kuptohemi menjëherë, pasi ai e ka provuar edhe vetë atë. Duke lexuar librin, ndihet se autori ka ecur me muaj e me vite nëpër rrugët e Shqipërisë, me këmbë, me biçikletë, me makinë, duke takuar njerëz nëpër të gjitha vendet ku një shqiptari i qëllon të takohet me një shqiptar, në kafenera, në pazare, në zyra, në gjykata, në spitale, në shkolla; me një fjalë, që ka kaluar nëpër lëkurën e vet morinë e përjetimeve që prodhon jeta në këtë vend, duke u bërë pjesë, duke mbajtur qëndrim, dhe, pas gjithë këtyre, ka krijuar mendimin e vet për çfarë ndodh në Shqipëri.

Më shumë