Leximi i një libri ka një vlerë të paçmueshme për zhvillimin personal dhe intelektual për individin. Përmes librit, ne ndërtojmë njohuri të reja dhe hapim horizontin në kuptimin e funksionimit të botës por dhe të njerëzve që jetojnë në të. Na mundëson të udhëhiqemi nga aventurat e reja, të zgjerojmë horizontet tona dhe të mësojmë nga përvojat e personazheve fiction apo nga ato të vërtetë. Leximi rrit aftësitë tona të kritikës dhe analizës, ndihmon në zhvillimin e imagjinatës dhe të aftësisë së shprehjes. Përveç kësaj, leximi redukton stresin, rrit nivelin e relaksimit dhe ndihmon në zgjerimin e fjalorit tonë. Në një botë ku informacioni është tepër i larmishëm, leximi i librave ofron një mënyrë të ngadalët për të reflektuar dhe për të përjetuar një lidhje të thellë me idetë dhe historitë e shumta që ato ofrojnë. Më poshtë ne ju njohim me 14 librat që duhet dhe s’duhet ti lexoni…
Udhëtim në trojet shqiptare
KARL MAY
Megjithëse Karl May i përshkruan shqiptarët jo edhe me aq tone pozitive, nuk mund të provohet se ai e bën këtë me qëllim fyerjeje apo denigrimi. Për shkrimtarin shqiptarët ishin lëndë letrare, imazhi për ta i shërbente atij për të krijuar një letërsi aventureske plot të papritura, rreziqe e peripeci, ku në fund fitonte gjithmonë e mira ndaj së keqes. Për të lexuar më shumë kliko këtu.
Krokodili
FJODOR DOSTOJEVSKI
“Krokodili” është një vepër e rëndësishme letrare, jo vetëm për vetë veprën, por për kritikat me të cilat përballej Dostojevski për shkak të një opinioni të gabuar publik. Ashtu si sot, edhe ne përballemi me të njëjtin problem të një opinioni më të madh publik, i cili nuk është gjithmonë i vetëdijshëm për faktet, ku emocionet mund të ngatërrojnë logjikën tonë. Për të lexuar më shumë kliko këtu.
The Blue Nowhere
JEFFERY DEAVER
Aftësia e një libri të mirë thriller/krimi është pikërisht kjo, ta mbarosh me një frymë sepse je në ankth për çfarë do të ndodhë në faqen tjetër, në kapitullin tjetër. Ky libër e bën këtë plotësisht. Po kaq i aftë është autori i librit për të mos shitur fundin shumë herët. Historia ka aq shumë kthesa, aq shumë AS-a nën mëngë sa vetëm kur lexon faqen e fundit ti e kupton se “The Blue Nowhere” ka përfunduar. Për të lexuar më shumë kliko këtu.
Magjiologjia
MERLIN
Në libër do të gjeni një sërë simbolesh që fshehin kode që duhen deshifruar, një top kristali të shndritshëm, një hartë botërore të vendndodhjes së magjistarëve, libërtha që shpjegojnë se si mund të përdoren formulat magjike, një dragua të lëvizshëm që mund ta mbani në qafë dhe që ju ndihmon të gjeni kafshët magjike, një pako me tetë karta për të zbuluar të ardhmen, puplën e feniksit dhe jo vetëm… Për të lexuar më shumë kliko këtu.
Colorless Tsukuru Tazaki and His Years of Pilgrimage
HARUKI MURAKAMI
Një prej arsyeve kryesore e suksesit të Murakamit si novelist është interesi i tij i njëkohshëm në konflikt dhe prozë. Romanet e tij “Kronikat e Zogut Kurdisës” (1994-95) apo “Norwegian Wood (1987) janë histori misterioze të cilat gërshetojnë natyrën e protagonistit me suspansën e përgjithshme të historisë. Të gjitha aspektet shkëlqyese të autorit mund ti gjejmë në këtë libër, duke përfshirë edhe një kolonë zanore të historisë dhe një interesim i madh për seksin. Për të lexuar më shumë kliko këtu.
Rënia e së ardhmes: Arti, korrupsioni dhe fundi i tranzicionit shqiptar
VINCENT W.J. VAN GERVEN OEI
Në ndryshim nga shumë perëndimorë, pa përjashtuar gazetarë e ekspertë të rajonit, njohja e të cilëve mbi Shqipërinë kuptohet lehtë se është një koleksion idesh të mbledhura në tryeza kafenesh apo nga lexime të të tjerëve, Vincent W.J. van Gerven Oei bën pjesë ndër ata perëndimorë, me të cilët ne shqiptarët që thithim përditë “drogën Shqipëri” kuptohemi menjëherë, pasi ai e ka provuar edhe vetë atë. Për të lexuar më shumë kliko këtu.
Në jug të kufirit, në perëndim të diellit
HARUKI MURAKAMI
Ky roman i Murakamit, si shumë rrëfime të tjera të tij, endet mes reales dhe surreales së mjedisit të njohur të prozës së tij, ajo është një histori me një intensitet të lartë rrëfimi, që i jep ndjenjës së dashurisë përbërjen fluide të gjërave që i ke dhe nuk i ke njëherësh. Për të lexuar më shumë kliko këtu.
Shtatë Bashkëshortët e Evelin Hygosë
TAYLOR JENKINS REID
“Shtatë bashkëshortët e Evelin Hygosë” nuk është fort një libër shezlloni sepse bart një dramë të fortë në fund dhe një zgjidhje realiste por të dhimbshme. Nëse doni të lexoni një libër argëtues ky është libri që po kërkoni. Njësoj si “Babylon” i Damien Chazelle, mbas vellos shkëlqyese të Hollywoodit fshihen sfumatura jo fort vezulluese, të cilat burimin e kanë tek cdo lloj ndjesie tjetër veçse dashuria, e të mendosh se pretendohet që kjo industri, motivues kryesor ka dashurinë. Për të lexuar më shumë kliko këtu.
Ugly Love
COLLEN HOOVER
I mbushur me seksizëm, stereotipe blatante në çdo faqe. Ky libër është ekuivalenti i filmit “The Room” (konsideruar filmi më i keq në histori) me të vetmin ndryshim që nuk do të kthehet kurrë në një legjendë që të shkrin gazit. Fjali në muret e tualeteve publike janë më të bukura se fjalitë e këtij libri. Edhe pse Tate hiqet heroina e librit nga autorja, Miles është boshti i librit. Miles dhe drama e tij, e të shkuarës, që e ka tronditur aq thellë sa e ka kthyer në një makinë seksi automatike për vajzat si Tate që nga jeta duan vetëm orgazma. Edhe në pornot më të dobëta vë bast që konflikti nuk është kaq patetik. Për të lexuar më shumë kliko këtu.
Orwell’s Roses
REBECCA SOLNIT
Domethënia e kopshtarisë në jetën dhe veprimtarinë e një prej shkrimtarëve më të rëndësishëm të shekulllit të 20 [e 21] lidhet me domethënien e kësaj veprimtarie gati idilike në jetën e çdo kopshtari apo njeriu që jetën e ka të lidhur ngushtë me natyrën; bukuri e të sotmes, shpresë e të nesërmes, dëshirë për të krijuar diçka që ngel për brezat që do të vijnë. E sikur të mos mjaftonin këto, libri i bën jehonë të vazhdueshme por jo prepotente, politikës. Për të lexuar më shumë kliko këtu.
Antologji e poetëve të harruar
“Antologji e poetëve të harruar” nuk sjell vetëm vlerën e një poezie të mrekullueshme, por ka dhe vlera të rëndësishme studimore, që secili nga ne do të donte që të njihte.Vetë autori ka bërë një punë shumë të madhe për t’i zbuluar këta poetë dhe për t’i sjellë në kujtesë, të cilët befas duken sikur janë fshirë krejtësisht nga letërsia. Jo thjesht gjatë 50 viteve të regjimit komunist, por edhe më pas. Disa prej tyre janë mjaft të njohur, ndërsa një pjesë tjetër nuk ia kemi dëgjuar emrin dhe janë poetë të një niveli të lartë, të cilët kanë shkruar poezi gjatë viteve ’30 e ’40 e që janë botuar në revista të ndryshme. Për të lexuar më shumë kliko këtu.
Brave New World
ALDOUS HUXLEY
Edhe pse libri hyn në ata të vështirët, disa pasazhe janë vërtet të ndërlikuara, mesazhi dhe shenja që lë tek lexuesi është i pashlyeshëm. Një nga ata librat që nuk do e harrosh dot mbasi e ke lexuar, për shkak te gjenialitetit të autorit për të ngjizur fjali të pasura të një historie tërheqëse. “Brave New World” është një vëzhgim ogurzi i realitetit që mund të jetë i yni shpejt. Një nga ata libra që duhen lexuar më mirë herët sesa vonë. Për të lexuar më shumë kliko këtu.
Dashnisë së nji nate
DONIKA DABISHEVCI
Poezitë e këtij libri janë krijuar mbi relacionin “unë-ti”, ku veta e parë është grua, kurse veta e dytë është burrë. Në raste të rralla, veta e dytë kthehet në vetë të tretë, kur subjekti lirik i tregon lexuesit per objektin e vet, çfarë do të thotë se linja e drejtë e komunikimit tranformohet ne trekëndësh. Për të lexuar më shumë kliko këtu.
Days of Reading
MARCEL PROUST
John Ruskin pretendon se njeriu nuk duhet të harxhojë kohë duke lexuar libra të pavlerë, por harron që të lexuarit në vete është kënaqësi. Dhe nëse kënaqësitë nuk i marrim shumë seriozisht rrezikojmë të humbasim spontanitetin. Ka lloje soje lexuesish po aq sa lloje sojet e librave. Eseja e Marcel Proust “Days of Reading” ka një aftësi për t’iu sjellë në mendje kujtimet më të vyera të fëmijërisë dhe magjepsjen karshi librave. Për të lexuar më shumë kliko këtu.