Instituti Italian i Kulturës ka kënaqësinë të paraqesë takimin e parë të ciklit Annotazioni Video, organizuar nga Instituti, kuruar nga Stefano Romano, në bashkëpunim me Bashkinë e Tiranës dhe Qendra e Industrisë Kreative – Qendra Agimi. Ky takim i parë me artistin Filippo Berta do të prezantohet në bashkëpunim me Harabel Contemporary.
Gjatë mbrëmjes do të prezantohet vepra e Filippo Berta-s me titull “One By One” dhe më pas ai do të flasë rreth rrugëtimit të tij artistik, në një bisedë me kuratorin Stefano Romano dhe me Ajola Xoxa, Drejtore e Harabel Contemporary Center.
Annotazioni Video
Koncepti i shënimit lidhet me mbajtjen shënim, kapjen e një elementi mbi të cilin duam të reflektojmë apo të ruajmë në kujtesë. Ai lidhet me atë që na bën më fort përshtypje në fluksin e informacionit mes të cilit gjendemi, pra flet për ne, përcakton vendin tonë lidhur me çfarë kemi përballë.
Annotazioni Video, është një projekt i Institutit Italian të Kulturës, në bashkëpunim me Bashkinë e Tiranës, i kuruar nga Stefano Romano. Projekti synon të reflektojë, në harkun e tre viteve, mbi dinamikat e zhvilluara gjatë kërkimeve të disa prej protagonistëve të artit bashkëkohor italian e shqiptar, që kanë si fill bashkues videon.
Përshkrim i shkurtër i videos
Filippo Berta ka realizuar projektin “One by One” pikërisht mes viteve 2019 e 2021, duke udhëtuar përgjatë vijave të ndryshme kufitare të planetit, nga Amerika, në Europë dhe Azi. Formalisht, videoja përbëhet nga regjistrime pamjesh të ndryshme, të një njeriu që i afrohet telit me gjemba, që përcakton kufirin e rradhës dhe nis të numërojë gjembat në të.
Numërimi vazhdon pa ndërprerje, duke krijuar një pafundësi të korruptuar, drejt së cilës projektohemi edhe ne. Zhurma në sfond e lajmeve që lexojmë, shohim apo u hedhim një sy çdo ditë, në veprën e Berta-s shndërrohet në metaforën e një territori të paqëndrueshëm, të vuajtur, të ndarë dhe ndarës, të segmentuar nga vetë njeriu për të krijuar distancë.
19 shtator 2023
Ora 19:00
Qendra e Artit Agimi