Muzeu i Armëve (Muzeu Historik i Forcave të Armatosura ) ndodhet në ambientet e Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes (ish- Shkolla e Bashkuar). Ky muze u ngrit me rastin e 100-vjetorit të themelimit të ushtrisë shqiptare. Ai përmban më shumë se njëmijë objekte muzeore, ku dallohen pisqolla që nga Mesjeta deri në shekullin XIX, kobure të dekoruara me ar e argjend, një sërë vitrinash me pushkë të llojeve të ndryshme të Mesjetës, të Rilindjes, shpata të kohës së Skënderbeut, tejqyra e Ali Pashë Tepelenës, avionë, helikopterë, tanke, maket katër siluruesi, artileri tokësore, kundërajrore të kalibrave të ndryshëm, si dhe mjete transporti po të llojeve të ndryshme. Dy pavijonet kryesore janë: pavijoni i epokës historike 1470-1945 dhe pavijoni i viteve 1945-1990. Në katin e dytë të tij paraqiten pjesë nga uniformat e përdorura në vite nga Forcat e Armatosura deri tek uniformat më të reja. Pavijoni i parë, përveç vlerave historike, është edhe një dëshmi e artizanatit shqiptar në këtë fushë.
Për më shumë informacion mund të ndiqni:
mod.gov.al
Adresa: Rruga Odhise Paskali, Tiranë