Art

Librat, Drejtimet, Botimet

Silvia Tabaku
06/04/2022

“LIBRAT, DREJTIMET, BOTIMET” – Ekspozita që sjell thesaret e Bullgarisë në Tiranë.

Në kuadër të nënshkrimit të “Memorandumit të Mirëkuptimit për Bashkëpunim” midis Bibliotekës Kombëtare “Shën Cirili dhe Metodi” të Bullgarisë dhe Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë, ditën e mërkurë u çel ekspozita “Librat, Drejtimet, Botimet”, me pjesëmarrjen e veçantë të drejtores së Bibliotekës Kombëtare të Bullgarisë, prof. Krasimira Aleksandrova, drejtori i Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë, z. Piro Misha, zëvendësministres së Kulturës, znj. Meri Kumbe, përfaqësues të Ambasadës së Bullgarisë në Tiranë, si dhe të ftuar të tjerë.
Në fjalën e saj përshëndetëse, prof. Aleksandrova u shpreh se “kjo ekspozitë u krijua për të festuar 140-vjetorin e themelimit të Bibliotekës Kombëtare “Shën Cirili dhe Metodi”. Thesari ynë letrar ruan me kujdes dhe prezanton koleksionet “Dorëshkrime dhe Libra të Vjetër të Shtypur”, “Arkivi Historik Bullgar”, si dhe “Koleksionet Orientale”. Botimet e hershme që datojnë që në shek. X”.
Drejtori i BKSH-së, z. Misha, pasi vlerësoi çeljen e ekspozitës dhe mundësinë që publiku shqiptar të njihet nga afër me thesaret e Bibliotekës Kombëtare të Bullgarisë, u shpreh se “kjo ekspozitë vjen pas nënshkrimit të “Memorandumit të Mirëkuptimit për Bashkëpunim” midis dy bibliotekave, e cila synon nxitjen e formave ekzistuese të shkëmbimit kulturor dhe vendosjen e formave të reja të bashkëpunimit të drejtpërdrejtë në fushën e bibliotekave”. Më tej drejtori i BKSH-së, theksoi se “falë kësaj marrëveshjeje, pranë Bibliotekës Kombëtare të Bullgarisë do të ngrihet “Këndi shqiptar”, që do të shërbejë si një dritare për të njohur vendin, kulturën dhe historinë tonë”.

Ekspozita hapet më datë 6 Prill, ora 10:00 dhe do të qëndrojë e hapur për publikun përgjatë gjithë javës.

Për më shumë informacion mund të ndiqni:
www.bksh.al
Facebook

Adresa: Sheshi Skënderbej, Tiranë

Më shumë