“Në jug të kufirit, në perëndim të diellit”/ Deri ku do të sakrifikonit për disa grimca dashurie?!
Një reflektim brilant për miqësinë në kohën e fëmijërisë dhe një rikthim i miqësisë në moshë të rritur mes dy personazheve Hajimes dhe Shimamotos, teksa njëri prej tyre kishte krijuar familje dhe arritur suksese në biznesin e tij. Çfarë ndodh me këtë dashuri të re e cila i ka rrënjët në miqësinë e fëmijërisë? A i rrezikon Shimamoto ato që kishte bërë me sakrifica në jetë për shkak të pasioneve të hershme?
Teksa rritej në periferi, në Japoninë e pasluftës, duket se Hajimes nuk i mungonte asgjë veç vëllezërve dhe motrave. Ai miqësohet me Shimamoto, e cila ishte fëmija i vetëm në familjen e saj. Të dy fëmijët kalonin pasditet së bashku, por një çast shoqëria e tyre ndërpritet për t’u rikthyer më vonë.
Hajime, një personazh flegmatik, i paqtë, i mbyllur në vetvete, si shumë prej heronjve në veprat e Murakamit, po i afrohet pa ngjarje të bujshme mesomoshës së tij. Ai ka një jetë të sigurtë, biznese të suksesshme, një familje të mrekullueshme dhe i zhytur në rutinën e administrimit të bareve të tij të xhazit, nuk i kupton vitet që po i ikin pa u ndjerë.
Por edhe ai ka ndjesitë e tij të fajit, për shkak të tradhëtisë që i ka bërë dikur një mikeshës së tij të rinisë dhe një tjetër dashurie të humbur në moshë fare herët. Kjo jetë e qetë e tij, do të marrë një kthesë të fortë, kur në barin e xhazit do të shfaqet një mbrëmje Shimamoto, e dashura e tij e parë, ritakimi me të cilën do ta bëjë Hajimen thuajse të marrosur, aq sa është gati t’i japë fund lumturisë së tij familjare.
Por gruaja e bukur, me të cilën ndjen sa ka qenë gjithë jetën i dashuruar, shfaqet dhe humbet në ditët e tij në mënyrë të pashpjegueshme, si një fantazëm që shkon dhe vjen nga askundi dhe kjo do ta torturojë më shumë se gjithçka burrin e dashuruar. Ky roman i Murakamit, si shumë rrëfime të tjera të tij, endet mes reales dhe surreales së mjedisit të njohur të prozës së tij, ajo është një histori me një intensitet të lartë rrëfimi, që i jep ndjenjës së dashurisë përbërjen fluide të gjërave që i ke dhe nuk i ke njëherësh.