“Udhëtim në trojet shqiptare”, vepra e Karl May që u bë pikënisja e shumë autorëve të tjerë për të njohur më shumë shqiptarët e Shqipërinë!
Romani “Udhëtim në trojet shqiptare” është libri i parë prej trashëgimisë së begatë letrare të shkrimtarit gjerman Karl May që botohet në gjuhën shqipe. Si kuptohet edhe nga titulli, hapësira ku zhvillohen ngjarjet e këtij romani janë trevat e largëta të Shqipërisë së Veriut. Në ndjekje të një bande keqbërësish dhe grabitësish nëpër vendet e Ballkanit, rruga i sjell personazhet e këtij libri pikërisht në këto treva.
Heroi kryesor i romanit, me emër të arabizuar Kara Ben Nemsi, është një gjerman, i cili udhëton nëpër botë për të njohur vende dhe popuj të panjohur, traditat dhe zakonet e tyre. Gjatë udhëtimit të tij ai shoqërohet nga Haxhi Halef Omari, Omar Ben Sadeku dhe Oskoja. Me ta ai është njohur në rrethana aventurash të rrezikshme në vendet orientale, të cilat i kanë lidhur në miqësi të ngushtë.
Njerëz me virtyte të larta njerëzore, në udhëtimet e tyre ata udhëhiqen nga synimi për të ndëshkuar të keqen dhe për të marrë në mbrojtje njerëzit që kanë nevojë për ndihmën e tyre. Në ndjekje të një bande keqbërësish dhe grabitësish nëpër vendet e Ballkanit, rruga i sjell në trevat e Shqipërisë së Veriut. Këtu fillojnë aventurat dhe ndodhitë e çuditshme…
Megjithëse Karl May i përshkruan shqiptarët jo edhe me aq tone pozitive, nuk mund të provohet se ai e bën këtë me qëllim fyerjeje apo denigrimi. Për shkrimtarin shqiptarët ishin lëndë letrare, imazhi për ta i shërbente atij për të krijuar një letërsi aventureske plot të papritura, rreziqe e peripeci, ku në fund fitonte gjithmonë e mira ndaj së keqes.