Art

Ekspozita “Mjeshtri dhe e bija”, tek Galeria e Artit Tiranë

Megi Daci
21/06/2023

Një nga ekspozitat më të veçanta të kalendarit artistik 2023 në GAT! Rikthejmë elegancën e një mjeshtri si Vilson Halimi, së bashku me të bijën Iriana Halimi Papamihali, në një ekspozitë të plotë dhe dinjitoze.
Ju mirëpresim të gjithëve, ditën e premte, 16 Qershor, ora 19:00.

Ekspozita “Mjeshtri dhe e bija” vjen për publikun si një nga ekspozitat më të veçanta të kalendarit artistik të Galerisë së Artit Tiranë. Vilson Halimi punoi si skenograf dhe kostumograf pranë Estradës së shtetit. Krijimtaria e tij artistike ka një larmi zhanresh. Ka marrë pjesë në shumë ekspozita dhe aktivitete të ndryshme artistike. Njëzet vjet pas ndarjes së tij nga jeta, e bija Iriana (Halimi) Papamihali sjell një ekspozitë për publikun me një përzgjedhje të punëve të artistit ndër vite, pjesë e fondit të familjes. Në këtë ekspozitë dhe vetë artistja prezantohet me një koleksion të veçantë i quajtur “Tout  L’univers”. Ekspozita është e kuruar nga Anila Zajmi Katanolli. Në sallën e kuqe dhe sallën e bardhë të GAT janë punët e mjeshtrit, ndërsa në sallën gri punët e së bijës. Një nga ekspozitat më të veçanta të kalendarit artistik 2023, për të cilën kuratorja Anila Zajmi Katanolli thotë se prezantohen punët e dy artistëve me vlerë. “Ekspozita është një binom shumë i rëndësishëm, që duhet njohur. Janë baba e bijë, dy artistë që kanë vlerë të jashtëzakonshme, sidomos Vilsoni që i ka munguar publikut. Të gjitha punët e tij janë të mrekullueshme”, shprehet ajo. Punimet e ekspozuara të Vilson Halimit nisin që në vitin 1956 për të vijuar deri pas viteve ’90. Janë 66 punë të Vilson Halimit dhe 11 të së bijës së tij. “Mjeshtri dhe e bija” ka një larmi punësh. Në teknikën e vizatimit, pastelit, teknika të përziera, grafika. Peizazhe të ndryshme, portrete, etj, janë pjesë e ekspozitës. Por në piktura të artistit një vend të veçantë zë e bija në momente të ndryshme, duke lexuar apo pikturuar. Për publikun janë ekspozuar dhe disa grafika shumë të bukura, që ka ilustruar poemën e Mjerimit, por dhe piktura me bojëra vaji, etj. Mbi të gjitha ai ishte skenograf dhe nuk mungojnë dhe punë me skenografi të koncerteve ndër vite.

Më shumë