Art

Ekspozitë / Sour Sweet Soil / Eltjon Valle & Ergys Krisiko

Megi Daci
21/06/2023

Ekspozitë / Sour Sweet Soil / Eltjon Valle & Ergys Krisiko / Muzeu Arkeologjik i Durrësit

Harabel nis një cikël të ri ekspozitash, duke kërkuar të bashkojë (apo thjesht të vërë pranë) artin bashkëkohor shqiptar me antikitetin ilir. Kjo nismë synon rizbulimin e muzeumeve apo zonave arkeologjike përmes rivizitimit të tyre së bashku me vepra të artistëve bashkëkohorë shqiptarë, por edhe krijimin e një perspektive të re artistike: artisti i përpara dy mijë viteve përballë artistit të sotëm, po në të njëjtin vend.

Piktori bashkëkohor Eltjon Valle (1984) ka në qendër të veprës së tij materialin “tokë”: tokën e rënduar nga nafta e vendlindjes së tij, Kuçovës, bartëse e dhimbjes së fëmijës që ka parë të gjitha lodrat e tij të vishen nga kjo baltë e trashë, por njëkohësisht edhe frymëzimi më i madh i krijimtarisë së tij në moshë madhore e deri sot, ku tablotë tashmë i përngjajnë dherave të planetëve të panjohur, diku blu, diku të purpurt, duke na sjellë imazhe hënore të panjohura. Nga po kjo tokë me të cilën krijohen tablotë bashkëkohore zbulohen pas gërmimeve edhe vepra artizanale të ilirëve.

Ndërkohë skulptori Ergys Krisiko (1977) ka në qendër të punës së tij krijimin e një hapësire transversale të mendimit ku bashkon mitologjiken me futuristiken, duke krijuar një gjallesë (apo robot?) metalik të stërmadh, që vendosur mes kolonave ilire i përngjan ëndrrës ose makthit, të shkuarës së largët ose të ardhmes, duke shtruar pyetjen nëse qasja ndaj historisë është një mbrojtje stoike e saj apo një kafshë që e gërryen përbrenda.

—-
Ekspozita hapet DITËN E ENJTE 30 QERSHOR, ora 19:00 në Muzeun Arkeologjik të Durrësit.

JENI TË GJITHË TË FTUAR!

Më shumë