Art

Nga “The Original Blues Brothers” tek “Balkan Paradise Orchestra”/ Në edicionin e 12-të të tij “Hemingway Jazz Fest” premton surpriza dhe muzikë të mirë…

Silvia Tabaku
17/07/2025

Të ftuara sot në emisionin “Wake Up” kanë qenë Luisa Belli Laura dhe Danjela Kuçiana. Organizatorja dhe kordinatorja e “Hemingway Jazz Fest” kanë treguar më shumë detaje në lidhje me festivalin që tashmë është kthyer në traditë, i cili këtë vit vjen në edicionin e 12-të të tij me dy netë plot ngjyra në datat 20-21 Korrik në Korpusin Universitar. Kjo është një festë që bën bashkë muzikën e mirë, miq të rinj dhe të vjetër, artdashës të vërtetë të cilët kanë qenë prezent që kur ky festival ka nisur në Tiranë 2013.

Çfarë e bën të veçantë këtë organizim vit pas viti sipas Laurës?

Muzika besoj që është pika kryesore, muzika e mirë dhe e vërtetë. Në këto 12 vite ne kemi pasur edhe shumë artistë me famë botërore që kanë marrë pjesë. Këtë vit kemi një super bandë që ne mezi e presim dhe ata janë “The Original Blues Brothers”. Në natën e dytë, në ditëlindjen e Hemingway-t do festojmë në një mënyrë shumë të veçantë.

Në këto dy netë vajzat dhe djemtë do të jenë të ndarë më vete. Pse pikërisht kjo zgjedhje?

Kjo ishte thjesht një rastësi, nuk është se ishte e planifikuar. Në natën e parë janë dy banda vajzash, grupi i parë që quhet “Balkan Paradise Orchestra” me 10 vajza të cilat në përbërje kanë një vokal dhe shumë nga vajzat luajnë instrumente frymore, ka një mix midis jazz-it dhe muzikës ballkanike, pak elektro-music. Një mix shumë i këndshëm për të gjithë ata që do vijnë për ta dëgjuar. Grupi i dytë është Gabriela Mendes, një muzikante që vjen nga Cabo Verde si Cesaria Evora. Muzika do të jetë pothuajse e njëjta rrymë e këtij zhanri dhe do të jetë së bashku me bandën e vet. 

Më tej sa i përket natës së dytë të festivalit për pjesëmarrjen e “The Original Blues Brothers”, Laura shtoi se:

Është një emër shumë i madh dhe janë 10 artistë që do të ngjiten në skenë dhe do të performojnë. Jemi realisht shumë të kënaqur që i kemi. 

Sa i përket kodit të veshjes për këtë festival, duhet të keni parasysh që:

Në natën e parë më 20 korrik e kemi me shumë ngjyra ndërkohë në natën e dytë më 21 korrik e kemi vetëm me të bardha. Një traditë që tashmë e kemi prej 12 vitesh. 

Më shumë