Ky Festival është një projekt kulturor i ideuar nga kuratori Helidon Haliti, në bashkëpunim me Fakultetin e Arteve të Bukura dhe Shoqatën Kulturore VIZart. Ai synon të mbështesë dhe promovojë të rinjtë në botën e artit, duke u dhënë atyre mundësinë të shprehin krijimtarinë e tyre dhe të kontribuojnë në shoqëri përmes artit. Veprimtaria luan një rol të rëndësishëm edhe në promovimin e vlerave kulturore, historike dhe turistike të rajonit të Belshit. Rreth 100 studentë nga Fakulteti i Arteve të Bukura, si dhe nga trevat e tjera shqiptare dhe më gjerë, do të marrin pjesë në këtë aktivitet, duke krijuar art të gjallë përmes pikturës, të frymëzuar nga peizazhet magjike dhe traditat e pasura të kostumeve popullore të rajonit. Në galerinë “Dy Botë” në Seferan nga data 22 deri më 30 nëntor do të mbahet një ekspozitë me punimet e studentëve. Ky aktivitet do të pasurojë jetën artistike të qytetit dhe do të shërbejë si një mundësi e mrekullueshme për të promovuar kulturën, turizmin dhe shkëmbimin ndërkulturor në Belsh, duke kontribuar në zhvillimin e jetës kulturore e artistike të qytetit.
November 22, 2024