Art

“Don’t cry for me Argentina” koncerti vjen në skenën e TKOB, si një ndërthurje mes muzikës klasike, pop dhe rock

Megi Daci
07/06/2023

“Don’t cry for me Argentina” titullohet koncerti që do të vijë në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit. Në vijim të programit muzikor këtë sezon artistik për publikun mbrëmjen e datës 10 qershor do të jetë dhe ky koncert. “Madonna, Queen, Rolling Stones, The Beatles dhe të tjerë një ndërthurje mes klasikes, pop-it dhe rock-ut, me Orkestrën Simfonike të TKOB-së, dirigjuar nga maestro italian, Roberto Molinelli, do të vijë në Teatrin Kombëtar Operës dhe Baletit, në koncertin simfonik “Don’t cry for me Argentina””, thuhet nga teatri. Dirigjenti italian Roberto Molineli i njohur në aktivitetin e tij artistik do të drejtojë këtë herë Orkestrën Simfonike të TKOB-së në këtë koncert, që do të jetë së shpejti për publikun. “Don’t cry for me Argentina” është një ndër këngët më hit të këngëtares me famë botërore, Madonna. Një këngë e tillë ishte lançuar qysh në vitet ‘70-të dhe ishte dedikuar për Zonjën e Parë të Argjentinës Evita. Muzika e kësaj kënge do të jetë pjesë e këtij koncerti. E njohur si “Mbretëresha e Popit”, Madonna është njohur gjerësisht për rishpikjen dhe shkathtësinë e saj të vazhdueshme në prodhimin e muzikës, shkrimin e këngëve dhe prezantimin vizual. Pjesë e koncertit është dhe muzika e “Queen”. Një grup rock britanik i formuar në Londër në vitin 1970 nga Freddie Mercury, Brian May dhe Roger Taylor, të cilëve më vonë iu bashkua John Deacon. Programi i koncertit përmban edhe krijimtari nga “The Rolling Stones”, një grup rock anglez i formuar në Londër në vitin 1962. Aktiv për më shumë se gjashtë dekada, ata janë një nga grupet më të njohura dhe më të qëndrueshme të epokës rock. Mbrëmjen e datës 10 qershor do të vijë dhe muzika e këngëve të “The Beatles”. Një grup anglez rock, i formuar në Liverpool në vitin 1960, i cili përbëhej nga John Lennon, Paul McCartney, George Harrison dhe Ringo Starr. Një nga grupet më të suksesshëm dhe që ka ndikuar më tepër në shekullin XX me rreth 1,3 miliardë CD të shitur.

Më shumë