Kulla e Sahatit të Tiranës filloi të ndërtohej nga Haxhi Et’hem Beu në vitin 1822 dhe përfundoi me kontributin e familjeve të pasura të Tiranës. Fillimisht, lartësia e kullës ka qenë 30 m dhe sahati përbëhej nga mekanizmi i kurdisjes dhe një kambanë tunxhi, numri i të rënave të së cilës tregonin orën sepse fushë dhe akrepa nuk kishte. Montimi i saj u bë nga familja Tufina, e përmendur në lidhje me orët. Në lartësi të caktuara u pajis me frëngji të vogla për ajrim, ndriçim dhe mbrojtje. Në vitin 1928, Kulla ndryshoi formë dhe mori pamjen që ka sot. Ajo u lartësua 5 metra më shumë duke arritur në 35 m, u bë ballkoni, u montuan 4 fusha orësh me akrepa dhe u vendos një çati e tipit venecian. Në kuadrin e modernizimit të Tiranës shteti shqiptar bleu në Gjermani një orë të kohës. Kulla e Sahatit është simbol i emblemës së Bashkisë së Tiranës dhe së bashku me Xhaminë e Et’hem Beut formon një ansambël arkitekturor unik.
Adresa: Sheshi Skënderbej, Tiranë